Të shtëna në një shkollë në Filipine, 6 të vrarë dhe 17 të plagosur

Të paktën gjashtë nxënës kanë humbur jetën dhe 17 persona të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë në një shkollë të mesme në Filipine.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Shkollën e Mesme Kombëtare Banga, në qytetin Banga të provincës Cotabato Jugore. Sipas raportimeve lokale, autori i dyshuar, i cili besohet se ishte nxënës i kësaj shkolle, është gjithashtu në mesin e viktimave.
Pas incidentit, autoritetet vendosën pezullimin e mësimit në të gjitha nivelet në qytetin Banga, ndërsa institucionet përgjegjëse nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Departamenti i Arsimit i Filipineve tha se është “thellësisht i shqetësuar” nga incidenti dhe se po bashkëpunon me drejtuesit e shkollës, autoritetet lokale dhe forcat e rendit.
“Prioriteti ynë i menjëhershëm është siguria dhe mirëqenia e nxënësve, mësuesve dhe personelit të shkollës”, deklaroi departamenti.
Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se personave të prekur nga ngjarja do t’u ofrohet ndihmë e parë psikologjike, si dhe mbështetje për shëndetin mendor dhe mirëqenien psikosociale.
Publikut i është kërkuar të mos përhapë informacione të pakonfirmuara, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe cili ka qenë motivi i mundshëm i sulmit.
Ngjarja vjen rreth një muaj pas një tjetër incidenti me armë në Universitetin “Ateneo de Zamboanga”, ku më 18 gusht mbetën të vrarë dy studentë, përfshirë edhe personin e armatosur.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur një motiv të mundshëm për të shtënat në shkollën e Bangës.