E Diel, 1 Nëntor 2026

Të shtënat në Lushnjë, policia: U plagos në këmbë një 45-vjeçar, dyshohet se autorët dogjën mjetin në periferi

Policia e Lushnjës ka dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur paraditen e sotme ku pati të shtëna me armë zjarri. Sipas policisë, rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi Julian Sula, 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kush është shënjestra?

Julian Sula, i cili mbeti i plagosur sot në këmbë pasi u qëllua dyshohet nga një mjet në lëvizje është një emër i njohur për policinë. Sula njihet edhe si “Juli i Pashakos” dhe rezulton person me precedent penal dhe me rrezikshmëri të lartë.

Më 13 tetor 2017, Sula u mor në pyetje si i dyshuar për përfshirje në atentatin që tronditi Lushnjën ku dy persona mbetët të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Sula u vetëdorëzua në polici dhe deklaroi se nuk kishte lidhje me ngjarjen ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi.

Ndërsa më 12 qershor të vitit 2016, ai u plagos rëndë me thika nga Arian Alico dhe Xhino Alico, por në vendngjarje thuhet se kishin qenë dhe nipi i Aldo Bares, Xhuljo Shkurti si dhe Sajmo Xheliu. Sula u qëllua në këmbë sot dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Lushnjës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›