E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të verbrit vlerësojnë lirimin e hapësirave publike: “Hap i rëndësishëm për aksesin dhe sigurinë”

Aksioni i Bashkisë Shkodër për lirimin e hapësirave publike ka sjellë një ndikim të ndjeshëm edhe për personat e verbër.

Pas viteve me pengesa të shumta në trotuare, hapësirat e pastruara po u japin atyre mundësi të lëvizin më lirshëm dhe më të sigurt në qytet.

Kryetari i Shoqatës “Shpresë kundër Verbërisë në Shkodër”, Artur Puka, shprehet se ky është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së tyre të përditshme.

“Ka njëfarë lëvizjeje pozitive në qytetin tonë në lidhje me personat me aftësi të kufizuara. Është bërë një punë e mirë me hapësirat publike. Trotuaret kanë qenë të zëna. Nuk mundeshim të ndërroheshim as dy vetë. Për ne që ecim me shoqërues, është dashur të prisnim si puna e makinave deri sa të lirohej vendi, kurse tani ecim lirisht. A ka nevoja? Ka nevojë shumë, sidomos për kategorinë e të verbërve. Të paktën një apo dy herë në javë unë bëj takime me drejtuesit e Bashkisë, me Shërbimin Social, me nënkryetarët e Bashkisë, se unë i vë në dijeni me problematikat që kanë qytetarët,” shprehet z. Puka.

Trotuaret e ngushta, automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt dhe barrierat e tjera fizike kanë vështirësuar lëvizjen e tyre të përditshme, duke krijuar jo vetëm shqetësime, por edhe rreziqe serioze për sigurinë.

Ky proces pritet të vijojë në disa zona të tjera të qytetit, me qëllim që hapësirat publike të jenë të aksesueshme për të gjithë qytetarët.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›