E Diel, 1 Nëntor 2026

Tejkalim i lejes së ndërtimit në Tiranë, procedim penal për dy efektivë policie për shpërdorim detyre

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Nisur nga raportimet në mediet elektronike Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka konstatuar se në një objekt shumëkatësh në ndërtim në rrugën “Llukë Kacaj”, njësia administrative nr. 4, janë ndërtuar 2 kate banimi, në tejkalim të atyre të përcaktuara në lejen përkatëse lëshuar nga bashkia Tiranë. Pas verifikimeve të kryera nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, ka rezultuar se objekti është ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Tiranë, ka administruar dokumentacionin shkresor si edhe ka marrë deklarimet e strukturave policore përkatëse, ku bazuar në veprimet e para hetimore ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dy punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Punonjësit e dyshuar janë K. M., me detyrë Ndihmës Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4 dhe  S. K., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4. Sipas AMP, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. /k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›