Teknologjia defektoze, debati fillon
Një makinë votimi filmohet ndërsa ndryshon një votë nga një kandidat për një tjetër
Një makinë votimi defektoze që ndryshoi një votë nga Barack Obama për Mitt Romney. Ngjarja ndodhi në kontenë Perri në Pensilvani. Një zyrtar i zgjedhjeve deklaroi se makina defektoze u hoq nga puna, u rikalibrua dhe tani po punon më së miri. Departamenti i Shtetit e konfirmoi lajmin, duke thënë se një votues njoftoi zyrtarët për problemin që hasi, ndërsa po përpiqej të votonte. Votuesi e regjistroi me celular problemin dhe e publikoi në internet, ku brenda pak orësh qarkulloi nëpër të gjithë botën.
Ndërkohë, probleme të vogla po shfaqen në të gjithë Amerikën. Në Pitsburg, avokatët e demokratëve dhe republikanëve shkuan në gjykatë për zgjedhjet për të kërkuar votim emergjent për pacientët e spitaleve të ndryshme, por nuk ia dolën.
Në një rast tjetër, zyrtarët morën aplikime për vota në mungesë nga 200-300 pacientë të një spitali që nuk qenë në gjendje të votonin personalisht. Ata arritën të votonin, por avokatët e republikanëve thonë se ngjan sikur votat janë plotësuar nga e njëjta dorë. Republikanët duhet të paguajnë 10 dollarë për çdo votë që dëshirojnë të rishikohet, në rast se kanë dyshime për të.
Një avokate e komuniteteve me ngjyrë raportoi ndërkohë se disa votues kanë marrë email-e çorientuese, ku u sugjerohet të mos shtypin butonin për Partinë Demokrate kur të votojnë me makineri, sepse në këtë mënyrë, vota nuk i shkon Presidentit Obama. Mendohet se ky email synonte të çorientonte votuesit e moshuar. Disa zyrtarë u kanë kërkuar punonjësve të qendrave të votimit të pyesin votuesit nëse kanë një kartë identiteti me fotografi, ndonëse një kusht i tillë nuk është ligjor.
Beteja për identifikimin më të saktë të votuesve u nis disa vite më parë nga republikanët dhe shumë shoqata konservatore, të cilat argumentojnë se sistemi aktual lë shumë hapësira për manipulime zgjedhore. Demokratët, nga ana e tyre, argumentojnë se masat e tepërta i ndalojnë komunitetet e të varfërve apo të margjinalizuarve të votojnë.
Teknologjia i ka ndihmuar zyrtarët amerikanë të japin rezultatin zgjedhor brenda pak orësh nga mbyllja e orarit të votimit. Në disa shtete, sistemi funksionon me dy makineri të veçanta. Makineria e parë identifikon votuesin dhe i jep atij një numër unik, me të cilin ai është në gjendje të përdorë makinën e dytë, ku zgjedh me një klik kandidatin që dëshiron dhe voton. Votat e hedhura me letër numërohen me makineri automatike dhe në rast se rezultati është tepër i ngushtë, atëherë fillon puna për të rinumëruar votat me dorë.
Teknologjia defektoze, debati fillon burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip