Teliti thirrje qytetarëve: Të protestojmë kundër korrupsionit, Veliaj të dorëhiqet

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorjan Teliti, bëri thirrje të enjten në adresë të qytetarëve të Kryeqytetit, që t’i bashkohen protestës së ditës së nesërme para Bashkisë Tiranë, për të kërkuar dorëheqjen e Kryebashkiakut, Erion Veliaj që, sipas tij, fshihet nga përballja me të vërtetën, qytetarët dhe opozitën.
“Të bashkuar në flamur, të gjithë bashkë nesër në protestë! Nesër të protestojmë kundra “zinxhirëve” simbol të korrupsionit që rrënjë të thella ka zënë në Bashkinë e Tiranës. Nesër të protestojmë për një Tiranë të zhvilluar dhe që krijon mundësi për këdo, për një Tiranë që nuk vidhet haptazi nën dritën e diellit, për një Tiranë ku nuk abuzohet me taksat e qytetarëve dhe bizneseve, për një Tiranë ku prona nuk dhunohet apo tjetërsohet në shkelje të ligjit, për një Tiranë të pastër, për një Tiranë me infrastrukturën e duhur arsimore, për një Tiranë ku uji të mos mungojë në rubinetat e shtëpive tona. Të protestojmë të bashkuar në një flamur bashkë me qytetarët, të protestojmë deri në dorëheqjen e Kryebashkiakut që fshihet nga përballja me të vërtetën, qytetarët dhe opozitën.”, shkruan Teliti.
/rtsh.al/