TemA TV/ Ashton: Votimi i djeshëm në Kuvend, shqetësues. Zgjedhjet janë testi kryesor për integrimin (VIDEO)
Shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, pas takimeve që ka mbajtur me presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, ka dhënë një konferencë shtypi. Ajo ka theksuar faktin se zgjedhjet do të jenë testi kryesor për integrimin e Shqipërisë, ndërsa u shpreh e shqetësuar me votimin e djeshëm në Kuvend për shkarkimin e anëtarit të LSI-së nga KQZ-ja.
Jam vërtet e lumtur që gjendem në Tiranë për këtë vizitë. Sapo jam takuar me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, me të cilët pata diskutime të rëndësishme.
Vizita ime në Shqipëri ndodh sot, një ditë pas diskutimeve të nxehta në parlament për përgatitjen e zgjedhjeve. Ju kemi ndjekur me vëmendje dhe sot unë e kam bërë pozitën time të qartë në të gjitha palët.
Për BE është e një rëndësie thelbësore që zgjedhjet parlamentare të këtij viti të jenë në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare. Ky do jetë test për integrimin e mëtejshëm në BE.
Dje ne shprehëm publikisht shqetësimin tonë për pasojat e votimit në parlament për procesin zgjedhor. Është detyrë e institucioneve që të krijohet besim në këtë proces, duhet të ketë besim në këtë proces.
BE është e angazhuar për të monitoruar dhe mbështetur një proces të lirë e të ndershëm, me standarde europiane dhe ndërkombëtare, ka thënë Ashton gjatë fjalës së saj.
Ajo ka thënë gjatë fjalës së vet se Shqipëria duhet gjithashtu që të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, në mënyrë që të plotësojë kriteret e integrimit.
Ashton është ndalur gjithashtu edhe në retorikën nacionaliste, duke thënë se ajo duhet shmangur.
Më lejoni të them dhe pak fjalë për rolin e Shqipërisë në rajon, rol që e vlerësojmë. Natyrisht që të ruhet ky rol konstruktiv duhet të shmanget diskursi nacionalist. Lipset që Shqipëria të vazhdojë rolin e vet tradicional konstruktiv në rajon, për stabilizim të rajonit dhe që ky rajon të ecë përpara. Unë kam besim dhe besoj se Shqipëria i ka kapacitetet që të ecë përpara.
Prandaj mesazhi im për ju sot është një mesazh mbështetjeje, por edhe mesazh pritshmërie të lartë, dhe si një vend kandidat për në BE duhet të ndërmarrë këto sfida. BE është me ju për tju ndihmuar, tha Ashton./b.l