TemA TV/ Betohet qeveria e re. Rama: Do jemi shembull në luftën kundër padrejtësisë dhe korrupsionit (VIDEO)
Qeveria e re është betuar në Presidencë pas votimit në Kuvend dhe tashmë ajo merr detyrën edhe zyrtarisht.
Pas betimit në Presidencë, kryeministri Rama, së bashku me ministrat e tij, është drejtuar më këmbë drejt Kryeministrisë, ku ka mbajtur një fjalim të shkurtër në oborrin e saj:
Dua të shpreh mirënjohje për ata 1 milion shqiptarë dhe shqiptare, nga Tropoja në Konispol, që më 23 qershor votuan për ne. Por, edhe respekt po njësoj, për të gjithë ata që më 23 qershor nuk votuan për ne.
Qeveria e re që sapo është betuar, është qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe do të qeverisë për të gjithë shqiptarët. Ne jemi zgjedhur për të bashkuar dhe jo për të ndarë, dhe ne do të bashkojmë, nuk do të ndajmë.
Ne jemi zgjedhur për të shërbyer dhe jo për të rrëmbyer, ne do të shërbejmë dhe do të jemi shembull në luftën kundër padrejtësisë dhe korrupsionit.
Ne jemi votuar për ti dhënë të gjithë së bashku Shqipërisë sonë të dashur energjitë që të ecë më shpejtë për një rilindje shqiptare dhe të mos humbasë vite të tjera pa fund në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe drejt përmbushjes së atij amaneti që vjen nga larg dhe që është edhe misioni ynë.
Ne me shumë përulje u themi të gjithëve se rilindja që duam nuk mund të vijë brenda natës dhe se prej rilindjen duhen të gjithë, prandaj ne do të qeverisim me njerëzit dhe për njerëzit.
Për ne mbaron koha e fjalëve në opozitë dhe fillon puna në qeveri.
Unë ju siguroj të gjithëve se këto zyra dhe të gjitha zyrat e tjera do të jenë tonat, por pushteti do të jetë sërish juaji.
Ëndrra ka filluar në vitin 1990 me thirrjet Shqipërinë e duam se gjithë Europa dhe ne jemi këtu për të vazhduar këtë ëndërr, e cila duhet të jetë më e gjallë se asnjëherë, tha Rama në fjalën e tij.
Qeveria e koalicionit të majtë “Rama” është betuar në orën 18:00 tek Presidenti i Republikës.
Dhjetëra njerëz prisnin mbërritjen e zotit Rama në hyrje të kryeministrisë. Një tapet i kuq ceremonial ishte shtruar në shkallët e godinës.
Kabineti i ri qeveritar
1. Edi Rama, Kryeministër
2. Niko Peleshi, zëvendëskryeministër
3. Ditmir Bushati, ministër i Punëve të Jashtme
4. Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes
5. Saimir Tahiri, ministër i Punëve të Brendshme
6. Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Evropian
7. Shkëlqim Cani, ministër i Financave
8. Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
9. Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
10. Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes
11. Lindita Nikolli, ministre e Arsimit dhe Sportit
12. Nasip Naço, ministër i Drejtësisë
13. Mirela Kumbaro Furxhi, ministre e Kulturës
14. Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
15. Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë
16. Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
17. Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë
18. Lefter Koka, ministër i Mjedisit
19. Milena Harito, ministre Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike
20. Bledi Çuçi, ministër Shteti për Çështjet Vendore
21. Ilirjan Celibashi, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin



