TemA TV/ Olldashi: PD nuk duhet të bëjë aleancë me parti dhe individë nga e majta (VIDEO)
Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, ka deklaruar në Shkodër në mënyrë të prerë se kjo parti nuk do bëjë aleancë me parti dhe individë nga e majta.
Parlamenti nuk mund të krijojë shumica në bazë të kleringut të deputetëve, pasi kjo nuk është më politikë, por aritmetikë, tha Olldashi.
Përmirësimi i parë që duhet të bëjmë është përcaktimi rigoroz i konturit politik. Kjo do të thotë që pasi u faktua që aleanca me një forcë politike të spektrit të majtë është e pasuksesshme dhe joproduktive, ne duhet të përcaktojmë njëherë e mirë që nuk mundet që Partia Demokratike të bëjë aleancë me parti te spektrit kundërshtar dhe as me individë që vijnë nga kampi kundërshtar, vijoi Olldashi.
Partia Demokratike është parti e qendrës së djathtë dhe bën koalicione brenda këtij formacioni politik. Partia Demokratike duhet tu rikthehet fort shtyllave ekzistenciale që janë: shtresa e të përndjekurve dhe e pronarëve. Partia Demokratike është një parti ku duhet të vijnë të gjithë, por pa humbur referencat, tha Olldashi.
Në prezantim të platformës së tij për drejtimin e Partisë, Sokol Olldashi ritheksoi rolin e Partisë Demokratike si një shtëpi e madhe e opozitës.
Për të avancuar me një aksion të fortë opozitar, të gjithë faktorët e djathtë duhet të bëjnë opozitë brenda shtëpisë së demokratëve, tha Olldashi.
Olldashi kërkoi vendosjen e një ekuilibri mes mekanizmit të përgjegjësive dhe mekanizmit të karrierës brenda partisë, bazuar tek një inventar i kontributeve të çdo anëtari të Partisë Demokratike./ep