TemA TV/ Rama, takime në Zagreb në cilësinë e kryeministrit (VIDEO)
Kryesocialisti Edi Rama, që ka qenë i ftuar nën cilësinë e kryeministrit për ceremoninë e pranimit të Kroacisë në Bashkimin Europian, ka përfituar nga ky rast për të zhvilluar disa takime. Deri në shtator në fakt kryeministër do të vijojë Sali Berisha, por tashmë ndërkombëtarët njohin Ramën si kryeministrin e ri të vendit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka marrë pjesë në ceremonitë festive të organizuara me rastin e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian. Në këto ceremoni merrnin pjesë krerët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të rajonit, si dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Po ashtu ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian.
I thirrur në cilësinë e kryeministrit të zgjedhur, kreu i PS, mori urimet për fitoren e zgjedhjeve parlamentare nga të gjithë të pranishmit. Po ashtu Edi Rama pati mundësinë të zhvillonte disa takime pune mjaft të rëndësishme me Zv.Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit Philip Reeker, me Komisionerin për Zgjerim Stefan Fule, me Kryeministrin sllovak Robert Fico dhe Zv.Kryeministrin e njëherësh ministër i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Laicak, me Zv.kryeministrin e njëkohësisht ministër për çështjet e BE të Danimarkës, Nicolai Wammen, me ministrin e punëve të jashtme të Suedisë Carl Bildt, si dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, thuhet në deklaratën e PS-së.
Deklarata vijon me faktin se Rama ka pasur mundësinë të takohet dhe të bisedojë edhe me liderë të tjerë europianë, që morën pjesë në këto festime. Në të gjitha takimet e zhvilluara ka mbizotëruar fryma e bashkëpunimit reciprok dhe interesit të vazhdueshëm të këtyre vendeve për hapat që do të ndjekë Shqipëria në rrugën e saj të pakthyeshme drejt integrimit europian./b.l
