TemA TV/ Spahiu: 6 kërkesat tona për koalicion me parti antiqeveritare (VIDEO)
Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, bëri publike gjashtë kërkesat zyrtare të forcës politike që ai drejton lidhur me koalicionet e mundshme parazgjedhore me partitë antiqeveritare.
Gjatë komunikimit me mediat, Spahiu tha se kërkesat e Aleancës Kuq e Zi nuk janë pazare politike, por standarde morale, politike, etike, ligjore dhe kombëtare.
Në emër të Aleancës Kuq e Zi dhe mbështetësve të saj i drejtohem të gjitha partive politike që kërkojnë bashkëpunimin me këtë lëvizje që kërkesat dhe standardet që kërkojmë të rivendosim kushtëzohen nga një pakt kombëtar politik dhe historik i cili duhet të përmbajë:
1-Rikonfigurim të të gjithë mekanizmit elektoral, duke përfshirë kapacitetet njerëzore dhe ekspertët e propozuar nga Aleanca Kuq e Zi në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore. Duke filluar nga KQV, KZAZ, grupet e numërimit dhe deri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është e vetmja garanci për të siguruar votën e lirë dhe të barabarte e të gjithë shqiptarëve.
2-Marrëveshje politike dhe elektorale për hapjen e debatit mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kodit elektoral, nga sistem proporcional rajonal në sistem kombëtar ose të korrektuar.
3-Marrëveshje politike për miratimin e një strategjie dhe platforme për heqjen e kufirit dhe doganave me dy shteteve shqiptare, Shqipëri Kosovë, si dhe heqjen e çdo barriere tjetër që pengon unifikimin kombëtar.
4-Marrëveshje politike për të standardizuar demokracinë parlamentare apo pushtetin qendror dhe lokal nëpërmjet kufizimit të mandateve politike jo më shumë se dy mandate për çdo drejtues politik, kryeministër, kryetar partie, deputet, ministra, kryetar bashkie etj.
5-Reformë kushtetuese në sistemim e drejtësisë duke hequr të gjitha pengesat politike për dorëzimin, kallëzimin, hetimin dhe ndëshkimin e çdo zyrtari të lartë politik duke filluar nga kryeministri aktual.
6-Marrëveshje politike për ndarjen e tre pushteteve dhe pavarësinë e tyre duke filluar nga ndarja e parlamentit me qeverinë ku asnjë ministër të mos jetë deputet, tha Spahiu.
Shqipëria bëhet dhe do bëhet vetëm mbi këto standarde dhe parime dhe ftojmë të gjitha partitë opozitare ta nënshkruajnë këtë pakt si mënyra e vetme për të përmbysur regjimin më të urryer nga shqiptarët atë të shtetasit Berisha./ep
