“Tema e Ditës”, kandidati i PS-së, Doka: Cërriku do të kthehet në qendër të zhvillimit bujqësor, do të ketë edhe një pallat të ri shumësportësh

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Cërrik, Florenc Doka, shprehu besimin e tij të plotë në fitoren në zgjedhjet e pjesshme të së dielës, duke theksuar se mbështetja vjen nga puna e deritanishme e PS-së dhe projektet ambicioze të planifikuara.
Në një intervistë në emisionin “Tema e Ditës” me gazetarin Arbër Hitaj, Doka prezantoi platformën e tij të fokusuar te bujqësia, infrastruktura dhe sporti.
Doka argumentoi se votuesit në Cërrik kanë demonstruar mbështetje të vazhdueshme për PS-në, duke e lidhur këtë me fokusin e zonës te bujqësia.
“Edhe vajtja e ish-kryetarit të Bashkisë që aktualisht është ministër i Bujqësisë nuk është e rastësishme, sepse Cërriku është një zonë me orientim të theksuar drejt bujqësisë,” u shpreh Doka.
Tre shtylla të programit: Infrastrukturë, bujqësi dhe energji
Kandidati socialist renditi disa nga angazhimet kryesore të tij si asfaltimi tërësor i rrugëve brenda qytetit të Cërrikut, si dhe nisja e punës për asfaltimin e rrugëve në zonat e thella rurale. Ai theksoi edhe rëndësinë e mbrojtjes lumore.
Doka premtoi mbështetje për biznesin agrar dhe agrobizneset. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Shkollës Profesionale me orientim bujqësor, e cila do të rregullohet dhe do të përfundojë konvikti, duke e kthyer Cërrikun në një “qendër të zhvillimit bujqësor” për nxënës nga i gjithë vendi.
Sipas tij, në investimet strategjike përfshihen pallati shumësportësh me financim nga Qeveria, duke pasur parasysh edhe ekipin e njohur të peshngritjes së Cërriku, si dhe Projekti i GIZ që ka të bëjë me ndërtimin e një fushe me panele, e cila do të sigurojë ngrohje dhe ndriçim me çmim zero për bashkinë dhe shkollat, duke synuar një “bashki green”.
Lidhur me biznesin, Doka premtoi politika progresive për lehtësimin e pagesës së taksave, me qëllim frymëmarrjen e bizneseve lokale.
Në fund, Doka shprehu bindjen se votuesit do të bëjnë diferencën dhe do të sjellin “shifra rekord fitorie” për PS-në.
/rtsh.al/