Tenisti serb, Novak Gjokoviç kritikohet për mesazhin për Kosovën në “French Open”! Ministrja franceze: S’duhet të përsëritet

Tenisti i famshëm serb, Novak Gjokoviç është kritikuar për mesazhin politik për Kosovën në turneun e tenisit “French Open 2023”. Pas fitores në raundin e parë, Gjokoviç shkroi në objektivin e kameras: “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën”.
Ministrja franceze e sportit, Amelie Oudea-Castera e konsideroi mesazhin “të pavend”, teksa theksoi se një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet.
“Duhet të ketë një parim të neutralitetit për fushën e lojës. Kur bëhet fjalë për mesazhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mesazhe që i bashkojnë njerëzit rreth vlerave universale, një sportist është i lirë t’i shprehë ato. Por në këtë rast ishte një mesazh shumë aktivist, që është shumë politik. Nuk duhet të përfshiheni, sidomos në rrethanat aktuale dhe nuk duhet të përsëritet më“, tha Oudea-Castera.
Nga ana tjetër, Gjokoviç ka mbrojtur mesazhin e tij. Duke folur me gazetarët serbë, ai tha se ai ishte kundër luftërave, dhunës dhe çdo lloj konflikti, por shtoi se situata në Kosovë është një “precedent në të drejtën ndërkombëtare”.
“Si bir i një njeriu të lindur në Kosovë, ndjej nevojën të jap mbështetjen time për popullin tonë dhe për tërë Serbinë. Kosova është djepi ynë, kalaja jonë, qendra e gjërave më të rëndësishme për vendin tonë, ka shumë arsye pse e kam thënë këtë në kamera. Sigurisht që më dhemb shumë si serb të shoh se çfarë po ndodh në Kosovë dhe se si njerëzit tanë janë dëbuar praktikisht nga zyrat komunale, kështu që më e pakta që mund të bëja ishte kjo”, tha Gjokoviç.
Autoritetet Olimpike të Kosovës kanë kërkuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) që të hapë procedura disiplinore kundër Gjokoviqit, duke e akuzuar atë për nxitje të tensioneve politike.
“Novak Gjokoviç ka promovuar edhe një herë propagandën e nacionalistëve serbë dhe ka përdorur platformën sportive për ta bërë këtë,” tha Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Të martën, Federata e Tenisit e Kosovës tha se veprimet e Gjokoviçit do të “rezultojnë drejtpërdrejt” në rritjen e tensionit midis dy vendeve.
Federata Franceze e Tenisit, e cila organizon French Open, tha se nuk ka rregulla se çfarë mund të thonë lojtarët në Grand Slams./ BBC
/rtsh.al/