E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension, debate dhe nxjerrje nga salla, Vizion Plus zbardh përplasjet e forta në takimin mes Ramës dhe kryebashkiakëve të majtë

Vizion Plus ka mësuar detaje të reja rreth takimit të kryeministrit Edi Rama në takim me kryebashkiakët ditën e sotme në Kuç të Vlorës, e cila zgjati rreth 4 orë.

Vizion Plus mëson se mbledhja ka nisur e tensionuar, pasi ka patur përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj.

Rama i ka kujtuar Zotkajt djegien e teserave të PS në mes të qytetit, në shenjë proteste pas lajmit për shkrirjen e Bashkisë, duke e cilësuar si akt të turpshëm.

Burimet bëjnë me dije se Zotkaj i është përgjigjur se turp duhet të ketë ajo që po i bën PS qytetarëve të Poliçanit.

Ndërkohë të njëjtat burime konfirmojnë për Vizion Plus, se Rama është përplasur edhe me kryebashkiaken e Dimalit, Juliana Memaj, të cilën pas diskutimeve e ka nxjerrë nga mbledhja.

Shkak është bërë përgjigja ironike e kryebashkiakes.

Po ashtu mësohet se edhe kryebashkiakët e Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea kanë debatuar me kyeminsitrin Rama dhe Arbjan Maznikun duke i qëndruar argumentave të tyre kundër shkrirjes së bashkive.

Kryeministri Rama nga ana e tij ka pretenduar që kryetarët e këtyre bashkive po nxisin komunitetet e atyre zonave kundër reformës territoriale. Ai ka kërkuar që refroma Territoriale të vijojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›