E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensione në Kuvend, Berisha – mazhorancës: “Meritoni gazin lotsjellës”. Peleshi i heq të drejtën e fjalës për seancën e sotme: Po bën thirrje për dhunë

Seanca e sotme plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione, pasi opozita ka bllokuar foltoren. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori fjalën me pretendimin se do të fliste për procedurë, por në vend të kësaj u ndal te dhuna e ushtruar ndaj protestuesve, duke akuzuar mazhorancën për përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha iu drejtua deputetëve të Partisë Socialiste, duke u thënë se janë ‘ata që meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”.

“Tirana ka përjetuar një dhunë barbare, ku në rrugët e saj janë thyer kocka e çarë kafka. Dhe mjetet më të egra u përdorën kundër të rinjve. Këta parlamentarë që janë këtu janë më kriminalë se ata që thyejnë kocka. Këta e meritojnë gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara e kockat e thyera dhe jo të rinjtë”, u shpreh Berisha.

Kjo solli reagimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili vendosi t’i heqë të drejtën e fjalës Berishës për të gjithë seancën e sotme, duke argumentuar se kreu i PD-së kishte bërë thirrje për dhunë.

“Ke bërë thirrje për dhunë nga foltorja, nuk lejohet. Dhjetë minuta pushim, lironi foltoren”, deklaroi Peleshi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›