E Martë, 3 Nëntor 2026

Tensione në Kuvend, opozita bllokon seancën. Ndalohet hyrja e Vokshit e Hotit: Garda urdhër politik nga Rama

Ka nisur mes tensionesh sërish seanca e sotme plenare. Deputetët demokratë sikurse kishin njoftuar, kanë ndezur zhurmues në Kuvend për të mos lejuar zhvillimin normal të seancës. Garda e Republikës nuk ka lejuar hyrjen në seancë të deputeteve Albana Vokshi dhe Elda Hoti pas vendimit të Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e tyre me 10 ditë nga Parlamenti.

Në një deklaratë për media, Vokshi ka akuzuar Kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe Kryeministrin Edi Rama se u japin urdhër Gardës për moslejimin e tyre në Kuvend, ndonëse rregullorja e përcakton ndryshe.

Vokshi theksoi se opozita do vijojë protestat brenda dhe jashtë Parlamentit deri në rrëzimin e qeverisë Rama.

“Përsëri unë dhe kolegia ime, Elda Hoti nuk u lejuam nga garda që të hynim në seancë. Dje, u thirr mbledhja e Byrosë së Kuvendit. Pas ankimimit që bëmë në lidhje me vendimin e Sekretariatin të Etikës, që është shndërruar në organ censure për deputetët që kërkon t’i mbyllë gojën. Pavarësisht njoftimit, ne deputetet kërkuese ishim të pranishme dhe me urdhër të Ramës, mbledhja e Byrosë u dështua. Në bazë të informacioneve, nuk ka pasur fakt apo dëshmitar për të bazuar dënimin e tyre, është dënim politik. Të dënohemi pse protestojmë në mënyrë paqësore ndërkohë që shkelet rregullorja e Kuvendit. Kemi bërë një letër sot në bazë të dështimit të mbledhjes së Byrosë “Politike”, e kam njoftuar Kryetaren e Kuvendit që unë do jem në seancë sepse në bazë të Rregullores, në momentin që bëhet ankimimi, vendimi i Sekretariatit pezullohet.

Nuk ke të drejtë të ankimohesh, që të vërtetosh që ti nuk ke kryer asnjë veprim në shkelje të rregullores.

Jemi në diktaturë, në një Parlament që po tentojnë ta bëjnë monist. Mesazhi i protestës madhështore ka shkuar dhe te Rama e Nikolla. Do jemi aty në këmbë deri në rrëzimin e kësaj qeverie”, tha Vokshi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›