E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tensione në sallën e parlamentit, Noka godet me shishe Ballën, “Veliaj” dominon seancën

Mbledhja e parlamentit është shoqëruar me tensione e përplasje fizike për shkak të akuzave të opozitës për korrupsion ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës Veliaj e kryeministrit Edi Rama.

Seanca plenare është ndërprerë disa herë dhe incidenti më i rëndë ndodhi mes deputetit Flamur Noka dhe ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla, pasi Noka goditi me shishe drejt ministrit Balla.

Por kjo nuk ishte përplasja e vetme mes mazhorancës e opozitës. Deputeti demokrat Petrit Doda hoqi një prej mikrofonave të sallës së kuvendit, ndërsa opozita kërkonte të fliste para ministrit Balla i cili kishte marrë fjalën në foltore.

Arrestimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dominoi të gjithë diskutimet në parlament.

“Kërkoj rikthimin urgjent në parlament të padrinos, i cili po shkon në Durrës për t’i dërguar Pojën, Troplinin në qeli Erion Veliajt. Edi Rama të kthehet urgjent në parlament dhe të ndërpresë çdo lloj presioni, çdo lloj forme presioni ndaj të burgosurit Erion Veliaj”, tha Berisha.

“Nuk jua lejoj, keni quajtur njerëz të korruptuar, hajdutë nga ai mikrofon pa vendim gjykate. Respektoni prezumimin e pafajësisë, dinjitetin njerëzor”, tha Spiropali.

Kryetari i Partisë Demokratike Berisha kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas arrestimit me akuzën e korrupsionit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Zonja kryetare, të vij urgjent Edi Rama në Parlament dhe kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme”, tha Berisha.

“Bëre llogaritë  e Veliajt, sa për ato llogari, ato deri më tani janë dyshime. O Sali jep përgjigje popullit thuaj ku i ke gjetur ti, 500 mijë euro në Londër të zyra avokatare që mbrojnë kriminelët serbë kundër UÇK. Nuk paguan qeveria shqiptare fature avokatie. PS do vijojë të ketë standard, çdo i akuzuar avokatin ta paguajë vet, por prezumimi i pafajësisë është element kryesor”, tha ministri Balla.

Për shkak të situatës së tensionuar në parlament, kryetarja Elisa Spiropali  vendosi të shtyjë seancën për ditën e hënë.

Çështja më e rëndësishme që deputetët do të votonin sot në  kuvend ishin ndryshimet në kodin zgjedhor për të lehtësuar procesin e votës së diasporës për të cilat edhe PD edhe PS kishin renë dakord./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›