Tensione në veri të Kosovës për targat, Vuçiç i ashpër ndaj BE: QUINT-i po gënjen, s’presim që të mbështesin serbët

Reciprociteti i targave ka shkaktuar sërish tensione mes Kosovës dhe Serbisë dhe dalja në krahë e ndërkombëtarëve ndaj Prishtinës duket se ka acaruar presidentin serb Aleksandër Vuçiç
Duke mohuar tensionet dhe djegiet e makinave në veri të Kosovës, Vuçiç tha se vendet e QUINT-it nuk do marrin kurrë vendime në favor të serbëve.
“Vendet e QUINT-it gjithmonë do t’i japin mundësi Prishtinës, e kurrë nuk do të marrin ndonjë vendim që do të ishte në favor të serbëve dhe Serbisë. Ajo që po flet QUINT-i, BE-ja dhe Prishtina nuk ekziston askund. Ata shpikën legjitimitetin”, tha Vuçiç.
Lidhur me zbatimin e reciprocitetit të targave Vuçiç nuk u ndal tek legjitimiteti i Prishtinës, por u kap me kohën dhe metodat që po përdoren për vendosjen e tyre.
“Në atë akt, në pikën dy thuhet se veprimi i Kosovës është legjitim, por problemi është në kohën dhe metodat. Ata nuk kanë të drejtë të bëjnë këtë, sipas asnjë marrëveshjeje. Ata shpikën gjithçka. Serbët në Kosovë do t’u rezistojnë paqësisht autoriteteve të Prishtinës”, tha Vuçiç.
Lidhur me vendimin e Prishtinës që pas 31 tetorit do të konfiskojë targat dhe makinat e serbëve që nuk kanë targa të Kosovës, Vuçiç paralajmëroi rezistencë të serbëve.
“Nuk ka dorëzim. KM mbetet”, tha ai.
Targat KM, janë në mesin e disa lloje targash me akronime serbe për qytetet e Kosovës, që Serbia i lëshon për serbët në Kosovë, e të cilat konsiderohen ilegale nga Prishtina.
/rtsh.al/