E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tensionet në veri, Daçiç: Ndërkombëtarët të sigurojnë stabilitet për serbët

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ndërmarrë gjithçka që kërkohet me ligj dhe detyrime ndërkombëtare që të sigurojë stabilitet për serbët në Kosovë.

Daçiç tha për RTS se përshkallëzimi i tensioneve në veri erdhi pas sjelljes së papërgjegjshme të Prishtinës, që sipas tij është kryeministri Kurti që shkakton situata konfliktuale prej muajsh.

“Në vend të normalizimit, ne vazhdimisht kemi përshkallëzim të shkaktuar nga Albin Kurti dhe deskalim, për të cilin po punohet nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Rezultati është një plan tinëzar, Kurti lejohet të bëjë diçka, komuniteti ndërkombëtar proteston për diçka  dhe pastaj mbetet një gjë e arritur që ka karakter të njëanshëm dhe shpresojnë se do të bëhet realitet politik”, tha Daçiç.

Duke komentuar ardhjen e KFOR-it para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, Daçiç tha se detyra e KFOR-it ishte të parandalonte aktin e njëanshëm të Prishtinës dhe jo të pengonte punonjësit që të hynin në ndërtesa.

“Tani po i mbrojnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes, duket se po i mbrojnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Ata nuk mund të jenë kryetarë komunash në komunat serbe, të cilët nuk janë zgjedhur nga serbët”, tha Daçiç.

Tensionet në veri nisën me betimin e kryetarëve të ri  të komunave komunat Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, ku serbët nuk lejuan që kjo të ndodhte në institucion. Për këtë ndërhyri policia e Kosovës ku u përdor edhe gaz lotsjellës. Gjithashtu në disa prej komunave u dëgjuan edhe të shtëna armësh dhe u ngritën barrikada.

Për tensionet në veri të Kosovës, pati  reagime të shumta nga ndërkombëtarët, ku SHBA dhe BE dënuan ndërhyrjen e dhunshme të policisë së Kosovës dhe kërkuan të shmangen provokimet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›