Tensionohet situata në Patos-Marinzë, banorët ngujohen te zyrat e Bankers: Nuk largohemi pa përgjigje

Banorët kërkojnë që “Bankers Petroleum” të zbatojë kushtet e kontratave ekzistuese për qiratë e tokave, ku shprehen se kompania nuk ka përmbushur detyrimet për pagesat dhe po tenton të ndryshojë vlerën e marrëveshjeve pa pëlqimin e pronarëve.
Situata mes banorëve të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë dhe kompanisë Bankers Petroleum është tensionuar mbrëmjen e së enjtes, teksa rreth 20 banorë janë ngujuar në zyrat e kompanisë. Banorët kanë vendosur të qëndrojnë gjatë gjithë natës në ambientet e Bankers Petroleum, ndërsa kërkojnë që kompania të marrë një vendim lidhur me problematikën e qirave të tokave.
Sipas tyre, qëndrimi në zyrat e kompanisë do të vijojë deri në momentin kur të zhvillohet një takim me një përfaqësues të Bankers Petroleum dhe t’u paraqitet një zgjidhje përfundimtare për kërkesat e tyre.
“Do të rezistojmë, nuk lëvizim derisa të marrë noterin. Këtu na ka”, është shprehur një prej banorëve.
Të tjerë kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestën dhe nuk do të lirojnë ambientet e kompanisë pa marrë më parë një përgjigje.
“Do t’i mbajmë zyrat të bllokuara, do t’i zaptojmë”, deklarojnë banorët.
Protestuesit vijojnë të qëndrojnë në ambientet e Bankers Petroleum, në pritje të një reagimi dhe të një vendimi nga përfaqësuesit e kompanisë.
Banorët kërkojnë që “Bankers Petroleum” të zbatojë kushtet e kontratave ekzistuese për qiratë e tokave, ku shprehen se kompania nuk ka përmbushur detyrimet për pagesat dhe po tenton të ndryshojë vlerën e marrëveshjeve pa pëlqimin e pronarëve.
Kujtojme që gjatë protestës së dy ditëve më parë, një përfaqësi e banorëve zhvilloi një takim rreth 10 minuta me drejtues të kompanisë, por sipas tyre nuk u arrit asnjë zgjidhje. Përfaqësuesi i banorëve, Aleksandër Profka, deklaroi se drejtuesit e “Bankers Petroleum” e kanë argumentuar situatën me kostot e larta operative, një shpjegim që protestuesit nuk e pranojnë si arsye për moszbatimin e marrëveshjeve.
Banorët paralajmërojnë se, nëse kompania nuk respekton kontratat sipas kushteve të rëna dakord, do të kërkojnë rikthimin e tokave në gjendjen e mëparshme. Ata kanë paralajmëruar gjithashtu se, në mungesë të një përgjigjeje, protesta mund të përshkallëzohet deri në bllokimin e aktivitetit nxjerrës në disa prej shesheve kryesore të vendburimit të Patos-Marinzës.