E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentoi të grabisë me armë, 5 vjet burg 29-vjeçarit

TIRANË Tentativa për të grabitur me armë një biznesmen i ka dështuar, por, përveçse një goditjeje me një gurë peshe në kurriz, duhet të vuajë edhe 5 vjet burg. Eduart Gjuzi, 29 vjeç, është deklaruar fajtor nga Gjykata e Tiranës për akuzat e vjedhjes me armë, mbetur në tentativë edhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Vendimi i fajësisë ndaj tij u shpall pak ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit. Sipas vendimit, ngjarja për të cilën u dënua 29-vjeçari në 19 qershor 2008 është se ka tentuar të grabisë një pikë grumbullimi të hekurishteve në rrugën Sadik Petrela në Tiranë. I pandehuri është futur brenda dhe menjëherë ka vajtur tek një kontejner, që shërbente si vend peshimi për hekurishtet dhe ku mbaheshin edhe lekët, aty ka gjetur shtetasin Arben Sina, i cili ishte i punësuar në këtë pikë. I pandehuri është afruar me shpejtësi, ka nxjerrë pistoletën që mbante me vete, duke ia drejtuar në fytyrë shtetasit A. Sina, duke i thënë: Lekët, lekët, hape shpejt kasafortën. Menjëherë A. Sina ka hapur kasafortën, që në rastin konkret ka qenë një frigorifer ku mbanin lekët. Në kohën që po kryente këtë veprim, i pandehuri i është drejtuar punëtorit tjetër S. Hajdari që ishte pranë A. Sinës, duke i thënë Mos lëviz, se të vrava. Në këtë kohë, jo shumë larg ndodhej edhe punëtori K. Zaimi, i cili po ndiqte me habi veprimet e të pandehurit Eduart Gjuzi. Gjuzi menjëherë i është drejtuar duke i thënë hajde këtu, si dhe e ka sharë duke i drejtuar pistoletën më të cilën ka realizuar një qitje, por pa i shkaktuar dëme. Në këtë kohë, i pandehuri Eduart, duke parë që A. Sina po vonohej në veprime, po i vononte lekët, i është drejtuar nipit të gruas së A. Sinës duke i thënë do të vras, nëse A. nuk më jep leket. Në këtë çast, A. Sina ka përfituar nga shpërqendrimi i të pandehurit dhe i është hedhur sipër me qëllim që ti merrte pistoletën. Në përleshje e sipër, i pandehuri ka mundur të qëllojë me pistolete A. Sinën në këmbën e majtë dhe ka mundur që të shkëputet nga ai. Në këtë kohë, A. Sina ka bërtitur me të madhe, ndërsa i pandehuri Eduart Gjuzi ka dalë me vrap jashtë pikës së grumbullimit. Shtetasi A. Sina e ka ndjekur të pandehurin Eduart Gjuzi, duke e goditur me një gurë peshe në shpinë. Ai është kthyer dhe i ka drejtuar përsëri pistoletën, duke realizuar edhe një qitje, por pa shkaktuar ndonjë dëmtim. Kur ka arritur tek porta, i pandehuri Eduart ka tentuar të qëllojë përsëri, por pistoleta nuk ka realizuar qitje, rrëfehej ngjarja në vendimin e zbardhur të gjykatës.                       ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›