E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tentoi të fuste 613 kg kokainë në Portin e Durrësit, vuloset dënimi për Arbër Çekajn, Gjykata e Lartë le në fuqi dënimin me 14 vite burg

Gjykata e Lartë nuk e ndryshon vendimin për Arbër Çekajn, i cili është dënuar me 14 vite burg. Çekaj u shpall fajtor për trafikimin e një sasie prej 613 kg kokainë që u sekuestrua në vitin 2018 në Portin e Durrësit.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimet edhe për dy bashkëpunëtorët e Çekajt, Donaldo Lushaj, i cili është dënuar me 10 vjet e 8 muaj burg, ndërsa Armando Pezaku do të vuajë 8 vite e 8 muaj burg.

613 kg kokainë që u sekuestrua në vitin 2018 në Portin e Durrësit, u gjet në një kontejner me banane që vinte nga Amerika Latine dhe ishte e destinuar për kompaninë “Arbi Garden”, në pronësi të Çekajt.

Droga u kap më 28 shkurt 2018 në Portin e Durrësit dhe përbënte sasinë më të madhe të kokainës që ishte sekuestruar ndonjëherë në vendin tonë.

Arbër Çekaj u dënua me 21 vite burg, por përfitoi ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar. Ai do të vuajë 14 vite burg. Çekaj është dënuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut të kokainës pasi iu kap sasia prej 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 që e kishte fshehur në dyshemenë e konteinerit me banane. Katër vite më parë ai tentoi së bashku me Fatmir Pjetrin që të arratiseshin nga burgu 313, por kjo tentativë e tij rezultoi e dështuar. Pas kësaj tentative Arbër Çekaj u fut në  regjimin e posaçëm ’41-biss’

Çfarë është regjimi i posaçëm ’41-bis’

Ligji për regjimin e posaçëm i njohur si “41-bis”, i përshtatur nga Italia, ka hyrë në fuqi në Janar të vitit 2019. Regjimi “41-bis” është qëndrimi prej një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime, pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë televizori në dhomë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›