Tentuan të kalonin drejt Greqisë çantat mbushur me drogë, shpallet në kërkim një person

Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë kanë parandaluar një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër drejt Greqisë. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar rreth 32.3 kilogramë kanabis, ndërsa një shtetas është shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi në vijën kufitare në afërsi të fshatrave Vidohovë dhe Ponçarë të Devollit, midis piramidave kufitare 43 dhe 44. Dy persona u pikasën nga patrullat e Policisë duke transportuar dy çanta të dyshuara me lëndë narkotike. Ata u larguan me shpejtësi duke braktisur çantat në momentin që konstatuan praninë e forcave të rendit.
Pas ndjekjes dhe këqyrjes së çantave, u gjetën 20 pako me një sasi totale prej 32.3 kilogramësh kanabis. Menjëherë janë njoftuar autoritetet kufitare greke për bashkëpunim në kapjen e personave të dyshuar.
Njëri nga transportuesit është identifikuar, ndërsa për arsye hetimore nuk bëhen publike të dhënat e tij. Policia po vijon punën për kapjen e tij dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.