E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tepelenë – Investime në infrastrukturën rrugore, 45 km rrugë të reja në njësinë Qendër

Bashkia e Tepelenës gjatë këtyre muajve ka vënë në fokus përmirësimin e infrastrukturës rrugore, duke e konsideruar atë si një nga prioritetet kryesore për zhvillimin e zonës. Investimet janë përqendruar kryesisht në fshatrat e njësive administrative, ku prej vitesh banorët janë përballur me vështirësi në lëvizje. Vetëm në fshatrat e njësisë administrative Qendër janë asfaltuar rreth 45 kilometra rrugë, duke lehtësuar qarkullimin e banorëve dhe lidhjen e tyre me qendrën e qytetit.

“95% e rrugëve janë të asfaltuara në njësinë administrative si dhe në të gjithë bashkinë Tepelenë. Tani kemi futur edhe betonimin në rrugët e fshatit”, u shpreh Leonidha Shumeli, kryetar administrativ, Qendër.

Gjithashtu, është kryer edhe përmirësimi i ndriçimit rrugor dhe pastrimi i akseve, çka rrit sigurinë dhe ofron një mjedis më të pastër e të aksesueshëm.

“Në infrastrukturë kemi bërë një hap cilësor duke futur pastrimin, ndriçimin dhe shërbime të tjera”, tha ai.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e agroturizmit, duke i hapur rrugë mundësive të reja për ekonominë vendase dhe duke e bërë Tepelenën një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët.

Gazetare: E. Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›