Tërhiqet Kurti, Ftesë PDK-së dhe LDK-së për zhbllokimin e konstituimit të Kuvendit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka ftuar në një takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ftesa vjen në përpjekje për të gjetur zgjidhje për konstituimin e Kuvendit. Takimi është thirrur mëngjesin e së enjtes, pak para nisjes së seancës së nëntë konstituive të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill, ka dështuar tetë herë radhazi, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu. Deri tani ajo ka marrë 57 nga 61 votat e nevojshme për atë post. Haxhiu shihet nga partitë opozitare PDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si figurë përçarëse, ndërsa LDK-ja ka thënë vazhdimisht se nuk do të votojë asnjë kandidat nga partia fituese e zgjedhjeve.
Partitë opozitare i kanë bërë thirrje Vetëvendosjes të ndryshojë kandidaten dhe, nëse nuk gjendet zgjidhje, kanë dhënë edhe opsionin e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është hera e parë që Kurti fton në takim Krasniqin e PDK-së, ndërsa hera e dytë që fton Abdixhikun e LDK-së, i cili nuk e pranoi ftesën e tij të parë.
Thirrja e Kurtit vjen pas deklaratës së ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili tha se në takimin me presidenten Vjosa Osmani shprehu shqetësim për vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë. “Partitë politike në Kosovë duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe duhet t’i vene interesat shtetërore para atyre partiake.”- u shpreh ambasadori gjerman.
/rtsh.al/