Tërmet i fortë në qytetin e shenjtë kinez, 53 të vdekur dhe 62 të plagosur

Të paktën 53 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 62 janë plagosur pas një tërmeti të fortë që goditi rajonin malor të Tibetit në Kinë. Lëkundjet u regjistruan të martën në mëngjes, njoftuan mediat shtetërore kineze.
Tërmeti që goditi qytetin e shenjtë Shigatse të Tibetit rreth orës 09:00 me kohën lokale (01:00 GMT) kishte një magnitudë 7.1 të shkallës Rihter dhe një thellësi prej 10 kilometrash, sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së.
Lëkundjet u ndjenë edhe në Nepalin fqinj dhe pjesë të Indisë.
Tërmetet janë të zakonshme në rajon, i cili shtrihet në një vijë të thyer gjeologjike.
Shigatse konsiderohet si një nga qytetet më të shenjta të Tibetit. Është selia tradicionale e Panchen Lama, një figurë kyçe e budizmit tibetian, autoriteti shpirtëror i të cilit është i dyti pas Dalai Lamës.
Qarku Tingri, pranë epiqendrës së tërmetit, është një bazë popullore për alpinistët që përgatiten të ngjiten në malin Everest.
Udhëtimet turistike të malit Everest në Tingri, të planifikuara fillimisht për të martën në mëngjes, janë anuluar, tha një person, pjesë e stafit të turizmit për mediat lokale, duke shtuar se zona e turizmit është mbyllur plotësisht.
Ekipet e shpëtimit kanë nisur përpjekjet për të shpëtuar personat që mund të jenë nën rrënoja.
Si energjia ashtu edhe uji në rajon janë ndërprerë.
Presidenti kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për përpjekje të gjithanshme të kërkim-shpëtimit për të minimizuar viktimat dhe për të zhvendosur banorët e prekur.
Ndërsa lëkundjet u ndjenë në Nepal, nuk u raportuan dëme apo viktima, tha për AFP një zyrtar lokal në rajonin Namche të Nepalit, afër Everestit.
Rajoni, i cili shtrihet pranë një linje thyerjeje kryesore të pllakave tektonike indiane dhe euroaziatike, është shtëpia e aktivitetit të shpeshtë sizmik. Në vitin 2015, një tërmet me magnitudë 7.8 afër Katmandu, kryeqyteti i Nepalit, vrau rreth 9,000 njerëz dhe plagosi mbi 20,000./vizionplus.tv