Tërmet shkatërrues në Afganistan, 20 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur

Një tërmet me magnitudë 6.3 ka goditur veriun e Afganistanit pranë qytetit Mazar-i-Sharif, duke shkaktuar të paktën 20 viktima dhe mbi 320 të plagosur.
Lajmin e konfirmoi Ministria e Shëndetësisë e talebanëve të hënën, 3 nëntor, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur kërkimet mes rrënojave. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti ndodhi në orën 00:59 të mëngjesit të së hënës (me orën lokale), në një thellësi prej 28 kilometrash, rreth zonës së Mazar-i-Sharifit.
Autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet, pasi shumë banesa janë shembur dhe dhjetëra persona mund të jenë ende nën rrënoja.
Tërmeti shkatërroi pjesërisht edhe xhaminë e shenjtë të qytetit, të njohur si Xhamia Blu e Mazar-i-Sharifit, një nga monumentet më të rëndësishme fetare në vend, njoftuan autoritetet lokale.
Në momentin e lëkundjeve, mijëra banorë dolën me panik në rrugë, duke lënë shtëpitë nga frika e shembjes.
Kjo fatkeqësi është e fundit në një seri tërmetesh vdekjeprurëse që kanë goditur Afganistanin që nga viti 2021, kur talebanët morën pushtetin. Vetëm dy muaj më parë, një tjetër tërmet në lindje të vendit vrau mbi 2 mijë persona, ndërsa në vitin 2023, një tërmet në Herat dhe një tjetër në 2022 në Nangarhar shkaktuan qindra viktima.
Afganistani, i vendosur mbi zonën e rrezikshme tektonike të vargmalit Hindu Kush, përballet shpesh me tërmete të fuqishme. Prej dekadash, vendi vuan nga varfëria dhe mungesa e infrastrukturës.
Sipas ekspertëve të Shërbimit Gjeologjik Britanik, që prej vitit 1900, verilindja e Afganistanit është goditur nga 12 tërmete me magnitudë mbi 7 ballë.