E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti në Kolumbi, BE: Gati të ofrojmë më shumë mbështetje

Bashkimi Evropian ka shprehur solidaritetin me Kolumbinë pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin, duke bërë të ditur se është i gatshëm të rrisë mbështetjen për operacionet e kërkim-shpëtimit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE-ja po përdor sistemin satelitor Copernicus për të ndihmuar autoritetet kolumbiane në vlerësimin e situatës dhe operacionet e shpëtimit.

“Zemra e Evropës është me popullin e Kolumbisë pas tërmetit të tmerrshëm në rajonin e Chocó”, u shpreh von der Leyen, duke shtuar se BE-ja është “gati të ofrojë më shumë mbështetje”.

Në mbështetje të Kolumbisë janë shprehur edhe disa prej liderëve kryesorë evropianë. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Kolumbia mund të llogarisë në miqësinë dhe mbështetjen e Francës në këtë moment të vështirë.

Edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu solidaritetin e tij me popullin kolumbian dhe familjet e prekura.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se Italia qëndron pranë familjeve të prekura dhe ekipeve që po punojnë në operacionet e shpëtimit.

Mesazhe mbështetjeje ka dërguar edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u ka bërë thirrje vendeve që kanë mundësi të ndihmojnë Kolumbinë në këtë situatë.

Tërmeti me magnitudë 7.4 shkaktoi të paktën 111 viktima dhe dëme të shumta në pjesë të Kolumbisë, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën në zonat e prekura.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›