Terry e humb shiritin

"…E respektoj vendimin e Fabio Capellos. Do të vazhdoj të jap maksimumin për Anglinë…"
John Terry e ka humbur shiritin e kapitenit të Anglisë. Të premten pasdite, në një takim në stadiumin Wembley, që thuhet se zgjati vetëm 12 minuta, selektori i Anglisë, Fabio Capello, ia bëri të ditur Terryt se nuk do të jetë më kapiten i Kombëtares, pas njoftimeve rreth aferës së tij me Vanessa Perroncel, ish e dashura e bashkëlojtarit nga Chelsea, aktualisht futbollistit të Manchester Cityt, Wayne Bridge.
“Pas mendimeve të gjata kam marr vendim se do të jetë më së miri t’ia marr John Terryt shiritin e kapitenit”, tha Capello në një komunikatë.
Selektori ka theksuar se derisa sjellja e Terryt, në fushë ka qenë saktësisht ajo që kishte kërkuar prej tij, pas emërimit të qendërmbrojtësit si kapiten në gusht 2008, njoftimet e fundit rreth jetës private të futbollistit nuk i kanë lënë zgjedhje tjetër, përveç se t’ia marrë nderin e të qenit kapiten.
“Si kapiten i ekipit, John Terry ka treguar sjellje jashtëzakonisht pozitive. Mirëpo, duhet marr parasysh edhe gjërat e tjera që janë në dobi të ekipit të Anglisë. Ajo që është më e mira, për të gjithë ne në Kombëtaren e Anglisë ,ka ndikuar në vendimin tim dhe John Terry është njoftuar i pari”, shtoi Capello.
“Kur e kam zgjedhur Terryn për kapiten, kam caktuar edhe zëvendëskapitenin (Rio Ferdinand) e po ashtu kam emëruar edhe zgjedhjen e tretë. Andaj nuk ka arsye ta ndërroj këtë vendim. Dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj zyrtarët e Federatës angleze të Futbollit, e sidomos Lord David Triesman dhe Ian Watmore, që më kanë mundësuar të marr këtë vendim i vetëm dhe që është në interesin më të mirë të ekipit”, ka shtuar ai.
Edhe Terry ka lëshuar një komunikatë nga ana e tij pas publikimit të lajmit. “E respektoj vendimin e Fabio Capellos. Do të vazhdoj të jap maksimumin për Anglinë”, thuhet në komunikatën e tij.
Terry ishte nën presion të japë dorëheqje nga statusi i kapitenit, prej kur u publikua lajmi i aferës së tij me Perroncelin, ndërsa Capello i cili të enjten është rikthyer në Angli nga shtëpia e tij në Zvicër, ka vepruar shpejt.