“Testoi” policinë se ka vendosur bombë në shkollën “Emin Duraku”, reagon ashpër Koçiu: Çmenduri e mirëfilltë kriminale

Zv.kryeministrja Albana Koçiu e ka cilësuar çmenduri kriminale alarmin e rremë të një qytetari, i cili lajmëroi policinë se në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet është vendosur një bombë, vetëm për të testuar reagimin e uniformave blu.
Në reagimin e saj, Koçiu thekson se kjo është një çmenduri kriminale, një shaka e hidhur që nuk duhet përdorur asesi si pretekst për të testuar uniformat blu.
Sipas saj, disa të vetëquajtur “Flamingo” po ngatërrojnë lirinë me anarkinë.
View this post on Instagram
Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale.
Kjo lloj çmendurie, që shpesh tolerohet nën alibinë e një “lirie” pa fre, nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e vërtetë.
Këtyre 🐦⬛ që ndosin protestën, që e ngatërrojnë lirinë me anarkinë e mendjeve të tyre të boshatisura, duke e kthyer hapësirën tonë publike në një fushë eksperimentesh të dështuara, ligji duhet t’u tregojë shumë shpejt se Shqipëria nuk është një teatër ku mund të luajnë falas dramat e tyre të sëmura.
Refuzimi i këtyre sjelljeve anormale duhet të jetë qëndrim i të gjithë shoqërisë.