Tetë aksidente në 24 orë, humb jetën 8-vjeçarja sllovake, disa të tjerë plagosen

E diela shënoi 8 aksidente me 1 viktimë dhe 11 të plagosur , ku më i rëndi është ai që ndodhi në Gjirin e Lalzit që i mori jetën një 8-vjeçareje.
Vajza nga Sllovakia po kalonte nga një krah i rrugës në tjetrin kur ndodhi përplasja fatale. Shoferi 18-vjeçari Genci Gjura që sapo kishte marrë patentën është vënë në pranga dhe akuzohet për ‘Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ndërsa nga Devolli në Pogradec u shënuan 6 aksidente. Më i rëndë ishte ai i fshatit Progër me 5 të plagosur, ku një automjet i drejtuar nga një 18-vjeçar nga shpejtësia e madhe në një kthesë të fortë doli nga rruga, duke përfunduar poshtë një ure.
Në orët e vona të darkës ndodhi një tjetër aksident me dy të plagosur në fshatin Belorta. Sipas policisë, shkak për ngjarjen u bë kalimi i njërit prej mjeteve nga një rrugë dytësore në aksin nacional.
Ndërkohë që gjatë paradites u shënuan edhe dy aksidente të tjerë me dy të plagosur.
Ekspertët e qarkullimit rrugor thanë se në të gjitha rastet shkak është bërë mosrespektimi i rregullave dhe mungesa e sinjalistikës dhe ndriçimit.
Aksi Kapshticë-Pogradec është një nga më problematikët në juglindje të vendit, për dendësinë e mjeteve që e përdorin atë e mbi të gjitha për kryqëzimet e rrezikshme dhe degëzimet e shumta.
Gjatë mesnatës ndërkohë një tjetër aksident u shënua edhe në Tiranë te kryqëzimi i urës së drejtorisë së policisë. Përplasje e fortë mes dy mjeteve, i bëri që të përfundojnë në dy drejtime një në Lanë. Nga aksidenti nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. /vizionplus.tv