Teuta e Dinamo ndahen në “paqe”

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Ndeshja Teuta-Dinamo City mbylli sot Javën e 19-të të kategorisë Abissnet Superiore. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” u mbyll në barazim 0-0.
Ndeshja ishte e vakët me pak raste për shënim. Vlen për t’u theksuar kartoni i kuq për kapitenin e Teutës, Kotobelli (pas atij të dytë të verdhë në fundin e ndeshjes), ku kapiteni pati një debat me kryesorin Juxhin Xhaja. Kotobelli, së bashku me Ergis Arifin dhe Muço Boçin do t’i mungojnë bregdetarëve në transfertën e rëndësishme me Partizanin javën e ardhshme.
Ky barazim nuk e ndryshon pozicionimin e dy ekipeve në renditje.
Po sot u luajt edhe ndeshja Vora-Partizani. Vendasit e inauguruan stadiumin e rikonstruktuar me fitore. Golin e vetëm për Vorën e shënoi Dario Daka në minutën e fundit të ndeshjes.
Pas përfundimit të Javës së 19-të, Egnatia kryeson renditjen me 37 pikë, e ndjekur nga AF Elbasani me 34 pikë. Dinamo City dhe Vllaznia ndjekin me nga 33 pikë secila.
Teuta ka 26 pikë, Partizani 23, Vora 22, Bylisi 18, Flamurtari 15, Tirana 13.
