Teuta provon “arratisjen”/ Durrsakët fitojnë në Shkodër, shkëputen në krye të ligës

Edhe kur ke talent në skuadër nuk bën dot pa trajner.
Kjo vlen edhe për Teutën, ndonëse kur vjen puna tek yjet më shumë mendohen ligat e forta të Europës sesa kampionati shqiptar.
Edlir Tetova po vazhdon në Durrës atë që bëri për 4 sezone tek Egnatia, dhe Teuta e tij jo vetëm që kryeson Superligën, por edhe po provon të arratiset.
Suksesi I radhës u arrit në një fushë që nuk mund të quhet e lehtë, pavarësisht se Vllaznia është në telashe të mëdha.
Me trajnerin Martini të pezulluar, shkodranët u mposhtën 2-0 në “Loro Boriçi” dhe gjithçka për miqtë ishte e merituar.
Nga ana tjetër, çdo trajner I mirë ka nevojë për futbollistë niveli që t’ia dalë mbanë.
Tetova në Durrës ka gjetur sulmuesin Umeijiego.
Nigeriani I ri, që është 23 vjeç, dhe me një shtatlartësi të frikshme prej 2 metrash e 3 centimetrash, mund të thuhet se fitoi I vetëm.
Shënoi golin e parë, mes mbrojtësve shkodranë e portierit, nisi të dytin dhe pastaj detyroi Dumfurin të shkaktojë autogol.
Një fuqi e Superligës, që të kujton të ndjerin Duamena, yllin nga Gana që Tetova e pati tek Egnatia dhe që humbi jetën në fushë në 11 nëntor 2023.
Duke u kthyer tek ndeshja, Teuta luajti mjaft të mirë, edhe pse Vllaznia pati pretendimet e saj ndaj arbitrit.
Durrsakët kanë 13 pikë në krye të Superligës, ndërsa Egnatia e Dinamo I ndjekin me nga 9, por me një ndeshje më pak.