E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tgcom24” – Sekuestrohen 2,6 tonë kokainë në Atlantik, mes të arrestuarve edhe një shqiptar

ROMË, 27 korrik /ATSH/- Në kuadër të një hetimi koordinuar nga Zyra e Prokurorit Anti-Mafia të Breshias (DDA), Guardia di Finanza e Italisë, në bashkëpunim me autoritetet e Spanjës dhe Portugalisë, ka sekuestruar mbi 2,6 tonë kokainë në Oqeanin Atlantik dhe ka arrestuar katër persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, sipas medias italiane “Tgcom24”.

Operacioni u zhvillua pranë brigjeve të Lisbonës, ku Policia Detare portugeze ndaloi një gomone oqeanike shumë të shpejtë të tipit “go-fast”, e përdorur shpesh nga grupet kriminale për transportin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë dy shtetas spanjollë, një shtetas i Gjibraltarit dhe një shtetas shqiptar, ky i fundit banues në Mantova dhe me vendbanim në provincën e Breshias, në Itali.

Sipas autoriteteve italiane, mjeti lundrues u monitorua vazhdimisht nga avionët e Guardia di Finanza, të pajisur me teknologji të avancuar për mbikëqyrjen detare.

Këta avionë ishin dislokuar në Gadishullin Iberik në kuadër të operacioneve për kontrollin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Vlera e kokainës së sekuestruar llogaritet në rreth 78 milionë euro në tregun e shumicës, ndërsa nëse droga do të shpërndahej në tregun e pakicës, do të gjeneronte të ardhura të vlerësuara në rreth 500 milionë euro.

Hetimet kanë konfirmuar se organizatat kriminale, po përdorin gjithnjë e më shpesh gomone të tipit “go-fast”, me gjatësi nga 10 deri në 16 metra dhe të pajisura me disa motorë të fuqishëm, të aftë të arrijnë shpejtësinë mbi 130 kilometra/orë.

Këto mjete janë të vështira për t’u kapur dhe përdoren kryesisht për transportin e drogës në rrugët detare ndërkombëtare. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›