E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi kërkon mobilizim tëgjithanshëm për negocimin e MSA

PRISHTINE- Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së është një moment histork për rrugën e integrimit europian, kështu tha Kryeministri i Kosovës në takimin e parë të ekipit negociator të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kreu i Qeverisë kërkoi gjithashtu mobilizim nga gjithë ministrat për të kryer gjitha detyrat që parashikohen gjatë realizimit të këtij procesi, i cili do të fillojë në vjeshtë e do të përmbyllet në pranverë.

Qeveria e Kosovës njoftoi sot se janë bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë procesi i negociatave për MSA. Kryeministri Hashim Thaçi e quajti moment historik fillimin e këtij procesi i cili do të ofrojë perspektivë të plotë për Kosovën drejt BE-së. Kryeministri Thaçi ka kërkuar mobilizimin e të gjithë ministrave në negocimin e MSA-së.

“Të nderuar të pranishëm, dëshiroj të dërgoj mesazh të qartë të gjithë ministrave, sekretarëve dhe udhëheqësve të institucioneve të tjera përgjegjëse. Kërkoj nga secili që aktivitetet dhe obligimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave dhe negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të trajtohen me prioritet më të lartë të mundshëm”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit kërkoi angazhim edhe në përmbushjen e kritereve që dalin në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas kryeministrit, javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtare për udhëtimin e lirshëm pa viza.

Ekipi për MSA do të udhëhiqet nga Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Citaku. Ajo tha se Qeveria e Kosovës planifikon që shumë shpejt ta përmbyll negocimin e MSA-së.

“Ekipi negociator do të ketë mandat të udhëheq negociatat në nivelin politik dhe të ofroj kornizë të qartë politike për negociatat teknike. Sa u përket negociatorëve dhe grupeve punuese të negociatave deri më tani jemi dakorduar me Komisionin Europian që negociatat të organizohen në tri grupe punuese. 1. Grupi punues për çështje tregtare, 2. grupi punues për përafrim të legjislacionit, 3. grupi punues për politikat e bashkëpunimit”, theksoi ajo.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka theksuar se me punën që është bërë deri më tani, ka shenja që vendimi i Brukselit do të jetë pozitiv për lëvizje të lirë të kosovarëve brenda zonës Shengen.

Ndërkohë u bë e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme planifikon që të rris stafin diplomatik në Bruksel në mënyrë që të ketë koordinim sa të mirë për këtë marrëveshje.

Marrë nga "RTK

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›