Thaçi kërkon mobilizim të gjithanshëm për negocimin e MSA-së
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në takimin e parë të ekipit negociator për negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Kosovën, ku ka theksuar se janë dy prioritete kryesore të Republikës së Kosovës, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, për këtë periudhë.
Procesi i parë ka të bëjë me negocimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe procesi i dytë është misioni i përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave që po ashtu është i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen evropiane të Kosovës, ka deklaruar Thaçi.
Sipas tij, marrëveshja e Stabilizim-Asociimit do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale që ofron perspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ai tha se Qeveria është e përgatitur që të fillojë sa më shpejt negocimin e MSA-së.
Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, siç e kemi thënë shumë herë deri më tani, është proces të cilin qytetarët tanë e vlerësojnë më shumë, pasi në fakt, liria e lëvizjes përbën prioritetet kryesor të kësaj qeverie, ka thënë kryeministri Thaçi.
Ai ka theksuar se integrimi evropian nuk ka të bëjë me axhendat politike të asnjë partie, ndërsa Kosova sipas tij, ka qenë, është dhe do të mbetet unike sa i përket të ardhmes evropiane.