E Shtunë, 31 Tetor 2026

The Voice of Italy, tjetër sukses për Elhaida Danin

Elhaida Dani, vajza 19-vjeçare nga Shkodra, që po mahnit gjithë Italinë me zërin e saj, gjatë performancave në The Voice of Italy, ka arritur të sigurojë kalimin për në turin e ardhshëm, pas performancave individuale Live, në një garim mes 4 kandidatëve të mbetur të skuadrës së Riccardo Cocciante-s.

Këngëtarja shqiptare këndoi All by myself të Celine Dion, duke shtangur të gjithë të pranishmit me forcën e zërit të saj, si dhe duke hedhur baza më të forta për një triumf të mundshëm në The Voice of Italy, e vlerësuar me superlativa si nga publiku italian (edhe në rrjetet sociale), ashtu edhe nga juria e specialistëve.

Muzikanti Piero Pelù, i grupit Litfiba, i mrekulluar tha se me zërin që ka, kjo vajzë mund të bëjë çtë dojë. Raffaela Carra, që e cilësoi thjesht të mrekullueshme, bëri çështë e mundur, që ta bindte për ta marrë në skuadër. Këngëtarja Noemi e vlerësoi së tepërmi dhe Riccardo Cocciante, që e ka në skuadrën e vet, po e ndjek me pasion të jashtëzakonshëm ecurinë e këngëtares, e cila konsiderohet nga shumë veta si fituese e këtij edicioni.

Elhaida Dani është e njohur për publikun shqiptar si pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës, e më pas si fituese e Top Fest 2012 në Top Channel, me këngën Sje më. Mbrëmjen e djeshme, ajo u vlerësua përveçse nga juria, edhe nga telespektatorët e Rai Due, pavarësisht se publiku përzgjodhi Mattia Lever, për të vazhduar më tej.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›