“The Wow Albania” 38 studentë belg në Shkodër, do promovojnë në platformat online pikat turistike të qytetit

38 studentë belg ndodhen këto ditë në Shkodër. Në bashkëpunim me studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi”, ata po punojnë për krijimin e guidave turistike të qytetit, si dhe për promovimin e Shkodrës në Belgjikë përmes blogjeve dhe formave të tjera online.
Grupi i studentëve belg ndodhen këto ditë në Shkodër si pjesë e një marrëveshje ndërmjet universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe dy universiteteve të Belgjikës “Howest” dhe “Ho Gent”. Ky është viti i dytë i projektit “The Wow Albania” që ka në thelb promovimin e Shqipërisë e në mënyrë të veçantë Shkodrës përmes blogjeve apo formave të tjera online që studentët belgë zotërojnë.
Studentët shqiptar të lëndës së “Menaxhimit të Udhëtimeve” po ndihmojnë ata belgë në përgatitjen e guidave turistike me disa nga pikat tërheqëse për t’u vizituar në Shkodër ndërsa ky bashkëpunim ndihmon edhe në socializimin mes tyre.
Pjesë e grupit belg është edhe një student shqiptar nga Kosova dhe për të është hera e parë që ndodhet në Shqipëri ndërsa thotë se ata kanë pak njohuri për Shkodrën. Studentët belg do të qëndrojnë disa ditë në Shkodër dhe ata do të vizitojnë disa nga pikat më të bukura turistike të qytetit ku më pas do t’i promovojnë në websitet e tyre online.
Gazetare: Merisa Gjini