E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Themeli: 25 miliardë lekë kredi me interes 3.5% për bizneset e vogla e të mesme

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Bizneset e vogla dhe të mesme do të mund të marrin deri në 25 milionë lekë kredi me norma shumë të ulta interesi.

Kjo lehtësi është pjesë e programit për kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm, të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Drejtori i Politikës Monetare në BSH, Erald Themeli, në një intervistë televizive tha se, përfitues të këtyre kredive janë disa kategori të SME-ve, (shërbimeve, bujqësisë, tregtisë)  me kusht të vetëm përdorimin e fondeve vetëm për investime në biznes.

“Do të jenë bankat e nivelit të dytë të cilat përfitojnë fondin e vënë në dispozicion që mbajnë edhe kostot operacionale të kreditimit. Përfituesit e kësaj skeme të re financimi nuk janë të kufizuar nga fushat e aktivitetit ku operojnë. Kjo është një  mundësi e mirë edhe për sektorin e bujqësisë që deri më tani është më i nënfinacuari”, u shpreh Themeli.

Sipas tij, programi i miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë për financimin e biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm, synon krijimin e një instrument financimi për bankat tregtare i cili mund të përdoret prej tyre në mbështetje të përmirësimit të aksesit në kredi për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme që operojnë në Shqipëri. Ky program është një projekt për të cilin Banka e Shqipërisë ka punuar prej kohësh dhe pret që të ketë rezultate konkrete në ekonomi. Gjatë bisedës së tij në studio,  Themeli u ndal më në detaje të këtij programi, kushtet e financimit dhe përfituesit e tij. “Nga fondi prej 25 miliardë lekë pritet të përfitojnë kredi rreth 100 mijë biznese mikro, të vogla dhe të mesme me një normë interesi jo më të lartë se 3.5%. Këto kredi duhet të kenë si destinacion kryesor financimin e programeve të investimeve të këtyre bizneseve me synim rritjen e kapaciteteve prodhuese të tyre si dhe zhvillimin e teknologjive. Afati maksimal për disbursimin e këtyre kredive do të jetë 31 dhjetor 2025 për një kohë jo më të gjatë se 5 vjet dhe përzgjedhja e bizneseve do të kryhet nga bankat tregtare që do të jenë pjesë e këtij programi”, u shpreh Themeli. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›