Theranda nën monitrimin e AKP-së

gjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) edhe më tutje e ka në monitorim Ndërmarrjen Bujqësore Industriale (NBI) “Suhareka” po në këtë qytet, pasi që blerësi i saj as për nga afër nuk ka arritur të përmbushë zotimet për investime dhe punësim, edhe pse ndërmarrja është shitur qysh në vitin 2006.
Por, së fundi edhe prokuroria e EULEX-it, dhe ajo e Kosovës kanë nisur hetimin rreth mënyrës së privatizimit të saj, pasi që ish punëtorë të kësaj ndërmarrjeje kanë përgatitur një dosje prej më shumë se 2000 faqesh, e ku protagonisti kryesor i saj është ish -drejtori i privatizimit Ahmet Shala, i cili tash e një kohë është ambasador i Kosovës në Japoni.
Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Yll Kaloshi thotë se ndërmarrja në fjalë është privatizuar nga blerësi “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI” përmes metodës së spin Off-it Special në valën e 19-të të shitjes, ndërsa periudha e përmbushjes së zotimeve të parapara në Marrëveshjen e Zotimeve ka përfunduar me datën 27 gusht 2009, shkruan Zëri.
Sipas tij, kjo ndërmarrje është nën monitorim të AKP-së, dhe sipas tij, akoma nuk është liruar nga raportimi. Kaloshi më tej thotë se Agjencia është e hapur për veprimet që mund t’i ndërmarrin institucionet përgjegjëse hetuese gjyqësore ndaj privatizimit të çdo ndërmarrje shoqërore.
Në anën tjetër, Fazli Morina, drejtor i vreshtarisë NBI “Suhareka”, thotë se ndërmarrja në të cilën ai ka punuar për vite të tëra po vazhdon të shkatërrohet nga mafia. Sipas tij, i terë procesi nga fillimi ka qenë i jashtëligjshëm.
Përndryshe të premten gazeta Zëri ka raportuar se ish -punëtorët e kësaj ndërmarrjeje kanë bërë gati dosjen e keqpërdorimeve të cilën e kanë dorëzuar në hiç më pak se 44 institucione vendore e ndërkombëtarë që funksionojnë në Kosovë.
Në dosjen e siguruar nga gazeta shihet se ish- punëtorë të NBI “Suhareka” akuzojnë rëndë ish- drejtorin e privatizimit Ahmet Shala për manipulime e keqpërdorime, sipas të cilëve janë bërë gjatë procesit të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje. “Suhareka” ka në pronësi më shumë se 1600 hektarë tokë, si dhe bodrumin e verës, i cili gjendet në mes të qytetit të Suharekës”, tha Shala.