E Diel, 1 Nëntor 2026

Thirrje për protestë nesër para Kuvendit, ora 9

Dita e nëntë e protestës, qytetarët marshojnë drejt Sheshit Skënderbej, thirrje për t’u mbledhur nesër në orën 09:00 para Kuvendit

Studentët dhe qytetarët që protestojnë prej nëntë ditësh kundër qeverisë kanë marshuar nga Kryeministria drejt Sheshit Skënderbej, ku vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë marshimit, protestuesit kanë brohoritur në kor “Dorëheqje, dorëheqje”, duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë, të cilin e akuzojnë për keqqeverisje dhe skandale të shumta korrupsioni.

Një prej protestueseve u ka bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen nesër, në orën 09:00, përpara Kuvendit, ku do të zhvillohet seanca e radhës parlamentare.

Protesta e studentëve dhe qytetarëve ka ndikuar edhe në zhvillimet parlamentare, duke çuar në anulimin e një seance të mëparshme. Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, në krah të studentëve janë bashkuar edhe pedagogët, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për kërkesat e të rinjve.

Kjo është dita e nëntë e protestës, e cila ka vijuar me pjesëmarrje të studentëve dhe qytetarëve të shumtë, të vendosur në kërkesën për largimin e kryeministrit Rama.

Kreu i qeverisë ka ofruar dialog me studentët dhe qytetarët, por protestuesit kanë refuzuar këtë mundësi, duke argumentuar se nuk kanë besim te premtimet e tij dhe se kërkojnë përgjegjësi politike për situatën në vend.

Protestuesit vijojnë marshimin dhe qëndrimin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa thirrja për t’u mbledhur nesër në orën 09:00 përpara Kuvendit pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm i protestës.m.k

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›