E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Thyhet’ siguria e Parlamentit italian, hakerët lexojnë email-et e politikanëve

Hakerët kanë hyrë në sistemin e email-eve të Dhomës së Deputetëve në Itali dhe kanë lexuar mesazhet e të paktën tre politikanëve: kryeministres Giorgia Meloni, Andrea Delmastro-s nga partia Vëllezërit e Italisë dhe Paolo Formentini-t nga Lega.

Ndërhyrja është zbuluar nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, të cilët po punojnë në Montecitorio për të siguruar sistemin dhe për të zbuluar origjinën e sulmit, raporton La Repubblica.

Sipas ekspertëve, mënyra se si është kryer ndërhyrja dhe zgjedhja e personave të prekur ngrenë dyshime për një sulm të synuar. Megjithatë, email-i zyrtar i Melonit në Kryeministri besohet se nuk është prekur, pasi mbrohet nga sisteme më të avancuara sigurie.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që sulmi të jetë pjesë e një strategjie të luftës hibride, e cila ka shënjestruar më parë edhe sistemet informatike të parlamenteve të tjera evropiane.

Për momentin, nuk dihet se nga ka ardhur sulmi dhe sa e gjerë ka qenë ndërhyrja.

Nga Dhoma e Deputetëve deklarojnë se sistemi ka qëndruar funksional dhe se verifikimet vijojnë. Sipas institucioneve, janë marrë masa mbrojtëse në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›