Tirana ende pa ujë 24 orë, qytetarët konsumojnë ujë nga depozita të papastruara

Në vitin 2026, në kryeqytetin e Shqipërisë, mijëra familje vijojnë të mbushin depozitat me ujë, pasi furnizimi 24 orë ende mbetet një premtim i pambajtur.
Prej më shumë se 30 vitesh, qytetarëve të Tiranës u premtohet ujë pa ndërprerje në rubinet, por realiteti në shumë lagje është krejt ndryshe. Furnizimi me orare, mungesa e presionit dhe ndërprerjet e vazhdueshme kanë detyruar banorët të mbështeten te depozitat, të cilat në shumicën e rasteve janë jashtë çdo standardi higjieno-sanitar.
Në tarracat e pallateve apo në bodrume, depozitat plastike dhe metalike qëndrojnë prej vitesh pa u pastruar. Banorët thonë se askush nuk kujtohet për mirëmbajtjen e tyre, ndërsa përgjegjësia endet mes institucioneve dhe administratorëve të pallateve.
Qytetarët shprehen se përdorin çdo ditë ujë që nuk e dinë nëse është i sigurt për konsum.
“Uji vjen vetëm disa orë dhe jemi të detyruar të përdorim depozitat. Nuk janë pastruar prej vitesh. Askush nuk vjen t’i kontrollojë”, shprehet një banore e Tiranës.
Ndërkohë, UKT prej vitesh ka deklaruar se depozitat do të hiqeshin me përmirësimin e rrjetit dhe sigurimin e ujit 24 orë, por kjo ende nuk ka ndodhur.
Institucioni argumenton se depozitat janë pronë private dhe përgjegjësia për pastrimin e tyre u takon vetë banorëve apo administratorëve të pallateve. Por ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se mungesa e kontrollit dhe higjienizimit mund të kthehet në një rrezik serioz për shëndetin.
Në shumë raste, depozitat ekspozohen ndaj temperaturave të larta, ndryshkut, papastërtive dhe baktereve, ndërsa uji që përfundon në rubinetët e qytetarëve mbetet jashtë çdo monitorimi real pas hyrjes në këto rezervuarë.
Ironikisht, ndërsa faturat e ujit rriten dhe investimet propagandohen si histori suksesi, banorët e Tiranës vazhdojnë të jetojnë me bidonë, pompa dhe depozita mbi kokë, një panoramë që ngjan më shumë me tranzicionin e viteve ’90 sesa me një kryeqytet europian në vitin 2026.
Dhe pyetja që shtrojnë qytetarët mbetet e njëjtë: Nëse Tirana ende nuk ka ujë të sigurt dhe 24 orë pas tre dekadash premtime, atëherë ku kanë shkuar investimet?