Tirana përgatit dosjen për FIFA-n. Muka: Tre DVD me gjykime tendencioze
Tirana nuk e harron lehtë atë që kryeqytetasit e kanë cilësuar “masakrim nga gjyqtarët” në sfidën e fundjavës me Flamurtarin. Me pretendimin se Federata Shqiptare e Futbollit nuk po merr masat e nevojshme ndaj arbitrave që kanë penalizuar në mënyrë tendencioze kampionët e sezonit të kaluar, bardheblutë do të ankohen direkt te FIFA. Trajneri-kapiten, Devis Mukaj, ka bërë të ditur se tre DVD me ndeshje ku “xhaketat e zeza” kanë dëmtuar me qëllim skuadrën, do të dërgohen në “qeverinë” e futbollit botëror. “Kemi përgatitur tre disqe me ndeshjet e këtij sezoni, ku gjyqtarët na kanë penalizuar me qëllim. Këto tri ndeshje do t’ia dërgojmë FIFA-s për shqyrtim, duke qenë se personat që na kanë dëmtuar janë arbitra që mbajnë stemën e FIFA-s. Këtë veprim e bëjmë duke u nisur prej faktit se federata nuk po dënon asnjërin prej këtyre monstrave”, deklaroi Muka. “Njëra prej ndeshjeve që do të paraqiten është pikërisht ajo që luajtëm gjatë fundjavës së kaluar në Vlorë. Atje vendimet e gjyqtarëve ishin skandaloze dhe janë pikërisht ‘xhaketat e zeza’ që po shkatërrojnë kampionatin. Goli i dytë i Tiranës me Plakun, i cili u anulua, ishte plotësisht i rregullt, ndërsa goli i barazimit të Flamurtarit dhe goli i avantazhit të përkohshëm 2-1 ishin të parregullt. I pari sepse kishte një pozicion jashtë loje, ndërsa i dyti sepse topi e kishte kaluar vijën fundore të fushës. Me këto episode po na heqin dëshirën për të luajtur futboll”. Fantazisti vlonjat ka kërcënuar se Tirana do ta braktisë fushën e lojës, nëse ngjarje të tilla ndodhin në javët në vazhdim: “Nëse gjykime të tilla do të përsëriten, skuadra do të hyjë në dhomat e zhveshjes dhe nuk do të pranojë më të dalë në fushën e lojës. Arbitrit duhet të mendohen mirë përpara se të drejtojnë një ndeshje të Tiranës”.
#