E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana zyrtare dënon sulmet ruse: Agresioni nuk do ta dobësojë vendosmërinë dhe unitetin e Evropës

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas sulmeve të fundit ruse në Kiev dhe incidentit me një dron rus në Leipzig të Gjermanisë, duke deklaruar se agresioni dhe kërcënimet e Moskës nuk do ta dobësojnë vendosmërinë, sigurinë dhe unitetin e Evropës.

Sipas ministrit, Evropa dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Ukrainës, ndërsa lufta po tregon gjithnjë e më shumë se ambiciet ruse shkojnë përtej territorit ukrainas.

Më tej, Hoxha duke iu referuar incidentit të raportuar në Leipzig, u shpreh se ai ishte një tjetër sinjal se Moska po teston kufijtë e sigurisë evropiane dhe po zgjeron aktivitetet e saj destabilizuese në kontinent.

Kryediplomati shqiptar shprehet se këto akte agresioni duhet të përçojnë mesazhin se Evropa duhet të jetë e fortë dhe e bashkuar.

Postimi i ministrit të Jashtëm:

Rusia ka demonstruar edhe një herë se agresioni i saj kundër Ukrainës nuk ndalet. Sulmet masive në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase, përfshirë sulmin e drejtpërdrejtë në Universitetin Kombëtar të Teknologjive Ushqimore, janë pjesë e një fushate brutale që vazhdon të vendosë civilët në rrezik.

Evropa, dhe Shqipëria si pjesë e saj, me të drejtë kanë qëndruar që nga dita e parë në krah të Ukrainës, dhe ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Ukraina mbetet vija e parë e kësaj lufte. Por është gjithnjë e më e qartë se shtrirja dhe ambiciet e Rusisë shtrihen shumë përtej Ukrainës. Incidenti i konfirmuar i dronit rus në Leipzig është një tjetër kujtesë e fortë se Moska po teston kufijtë e sigurisë evropiane dhe po zgjeron ndërhyrjen dhe aktivitetet e saj destabilizuese në të gjithë kontinentin.

Kërcënimi, agresioni dhe ndërhyrja hibride nuk do ta dobësojnë vendosmërinë e Evropës. Ato duhet të kenë efektin e kundërt: një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur.

Ukraina po mbron tokën e saj. Evropa po mbron sigurinë e saj. Ne duhet të qëndrojmë së bashku në të dy frontet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›