E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tiranë – Goditet grupi kriminal kibernetik, sekuestrohen mijëra euro dhe pajise elektronike

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin ndërkombëtar të koduar “Platforma” kundër sulmeve kibernetike duke përfshirë disa shtete si Gjermania, Shqipëria, Qipro dhe Izraeli.

Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, ndërsa në Shqipëri u drejtua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, nën koordinimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Gjatë operacionit u ushtruan kontrolle në tre ambiente të ndryshme, në Tiranë ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 aparate celularë, 1 laptop, 1 njësi kompjuterike, 1 USB, 1 hard disk i jashtëm, një shumë parash prej 40 020 eurosh.

Grupi kriminal dyshohet se ka mashtruar mbi 100 viktima me një dëm financiar prej mbi 3 milionë euro.

“Ekzekutimi i këtyre vendimeve është realizuar në kuadër të një letërporosisë të lëshuar nga autoritetet gjermane, me mbështetjen e Europol, në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online”, theksohet në njoftimin e policisë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në fushën e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve financiare ndërsa hetimet vijojnë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›