Tiranë/ Qarkullonte i armatosur me pistoletë, arrestohet 32-vjeçari, sekuestrohen 15 800 euro

Një 32-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Gun”, i zhvilluar për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, bazuar në informacionet operative se një person qarkullonte me automjet dhe dyshohej se mbante armë zjarri, lokalizuan në rrugën “Collakët” automjetin tip “Citroen DS3”, me të cilin lëvizte shtetasi R. V., 32 vjeç.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me municion, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe automjeti, dy aparate celularë dhe 15 800 euro.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 32-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv