E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Shullazi pengon mitingun e PS

Katër muaj pasi u la i lirë nga gjykata, Emiljano Shullazi u ndalua disa orë në Policinë e Tiranës, pas një denoncimi të deputetëve të Partisë Socialiste, Vasilika Hysi dhe Besnik Baraj.Emiljano Shullazi, 32 vjeç, personazh i njohur në Tiranë, i dënuar për trafik droge nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe i liruar pas llogaritjes së vuajtjes së dënimit, është akuzuar nga PS për pengim të aktivitetit elektoral në Njësinë Nr. 7 në Tiranë. Shullazi u ndalua pasditen e djeshme nga forcat e policisë së Komisariatit Nr. 2. Ai ishte shpallur në kërkim mbrëmjen e së enjtes, si personi që kishte penguar përfaqësues të Partisë Socialiste në kryerjen e një takimi elektoral. Pavarësisht nga iniciativa e policisë për ta vënë në pranga, Shullazi është lënë i lirë mbrëmë me kërkesë të prokurorit, i cili ka pohuar se vepra penale e kryer nga i ndaluari nuk parashikonte hetimin e tij në gjendje arresti, pasi nuk paraqiste rrezikshmëri. Burime nga policia thanë se pas njohjes me akuzën “pengim të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”, Shullazi është marrë në pyetje në Komisariatin Nr.2. Më pas prokurori ka vendosur që 32-vjeçari me precedentë penalë të procedohet penalisht në gjendje të lirë, për “pengim të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”, neni 325 i Kodit Penal.
Incidenti me PS
Emiljano Shullazi është denoncuar mbrëmjen e së enjtes nga dy deputetë të Partisë Socialiste, Besnik Bare dhe Vasilika Hysi. Ndërsa kandidati i PS për Minibashkinë Nr. 7 në Tiranë, Erion Koka, nuk ka ngritur pretendime në lidhje me incidentin në zonën ku ai kandidon për kryetar njësie. “Pas kallëzimit të depozituar nga dy deputetë të PS, nga Shërbimet e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë u bë identifikimi, shpallja në kërkim dhe më pas kapja e autorit, i cili dyshohet të jetë shtetasi Emiljano Hajdar Shullazi, 32 vjeç, me banim në Tiranë”, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së Tiranës. Në bazë të kallëzimeve të dhëna në Komisariatin Nr. 2 nga deputetët Besnik Bare dhe Vasilika Hysi, rezulton që një person, i identifikuar më pas si Emiljano Shullazi, ka prishur një takim që Hysi dhe kandidati Erion Koka po zhvillonin në këtë zonë të enjten. Sipas denoncuesve, rreth orës 18:30, Shullazi ka hyrë në lokalin ku po zhvillohej takimi elektoral, në rrugën “Ylbere Bylykbashi”, në Tiranë, duke i hequr mikrofonin nga dora deputetes Vasilika Hysi. Më pas ka shkëputur fishat e qendrës së zërit, me pretendimin se po shkaktonin zhurmë dhe shqetësonin banorët e zonës, duke qenë edhe vetë banor i asaj zone. Sipas policisë, denoncuesit pretendojnë se Shullazi ka qenë i vetëm dhe menjëherë sapo ka prishur takimin elektoral, është larguar. Menjëherë pas ngjarjes ai është denoncuar në polici dhe është bërë shpallja e tij në kërkim.

Eksplozivi në banesë kandidatit te Njësia 7
Pesë ditë më parë, një tjetër incident u shënua në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, në territorin e Minibashkisë Nr. 7. Persona ende të paidentifikuar vendosën një sasi eksplozivi, prej rreth 50 gramësh në derën e apartamentit të kandidatit socialist për këtë minibashki, Erion Koka. Nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati të plagosur, por vetëm dëme materiale. Ndërsa vetë kandidati socialist, Erion Koka, e cilësoi shpërthimin në apartamentin e tij si një ngjarje me motive politike. Në një farë mënyre, edhe në këtë incident u përfol emri i Emiljano Shullazit, edhe pse në këtë rast jo si i dyshuar, por si person që mund t’i vinte në ndihmë policisë për kapjen e autorëve. Policia sekuestroi kamerat e sigurisë të vendosura në ambientet e jashtme të shtëpisë së Shullazit, që ndodhet përballë hyrjes së pallatit ku banon Erion Koka, por rezultoi që kamerat nuk kishin fokusuar asnjë prej autorëve të ngjarjes.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›