Tiranë, arrestohet 41-vjeçari, ishte në “arrest shtëpie”. Iu gjetën pistoletë, municion dhe jelek antiplumb

Një 41-vjeçar është arrestuar në Marikaj, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përfshirja”, pasi dyshohet se transportonte një armë zjarri me qëllim trafikimin. Sipas Policisë, ai ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër penale të mëparshme.
Operacioni u finalizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara gjatë punës operative. Në pranga u vu shtetasi E. A. (M.), 41 vjeç, banues në Vorë.
Policia bën me dije se 41-vjeçari u ndalua teksa drejtonte automjetin në Marikaj. Gjatë ndërhyrjes, ai dyshohet se ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, të cilët po kryenin veprimet procedurale.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një pistoletë me municion, e cila dyshohet se do të trafikohej. Ndërsa gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë sekuestruan një jelek antiplumb dhe mbetje të dyshuara të lëndës narkotike kokainë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti dhe një celular.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përfshirjes së 41-vjeçarit në veprimtari të mundshme kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.