E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, plagosi me armë për një femër, pranga 22-vjeçarit

TIRANE – Një person që sipas Policisë kërkohej për një plagosje me armë të ndodhur më 11 gusht në Tiranë, ka rënë dje në prangat e policisë. Sipas burimeve zyrtare, mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 20:30, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 u bë kapja e shtetasit në kërkim, Mateo Niko Daliu, 22 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Policia theksoi se ky person ishte  shpallur në kërkim më datë 06.09.2011 nga Drejtoria e Policisë Tiranë. Ndaj shtetasit në fjalë mësohet se me vendimin nr. 469, i datës 1 shtator 2011, nga Gjykata e Apelit Tiranë është dhënë masa e arrestit burg pa afat. Policia theksoi se gjykata ka vendosr ndaj të dyshuarit masën e sigurimit personal arrest në burg për veprën penale të vrasjes me dashje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. I ndaluari akuzohet se më datë 11 gusht 2011, në bashkëpunim me shtetasin Gjergj Cukali, pas një grindjeje për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Gerhard Takaj, ngjarje kjo e ndodhur në rrugën Gjin Bue Shpata, në afërsi të stadiumit Selman Stërmasi. Sipas burimeve të Policisë, pas arrestimit, shtetasi 22-vjeçar ka dhënë shpjegime në lidhje me ngjarjen. Ai është marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe sipas Policisë, ka shpjeguar se me shtetasin e plagosur më 11 gusht, Gerhard Takaj, ka pasur një konflikt për çështjen e një të njohurës së tij. Për shkak se nuk ka arritur të gjejë marrëveshje me shtetasin Takaj, i riu ka thënë se ka kryer plagosjen. Ndërkohë, Policia tha se është duke hetuar në lidhje me zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›